Me pjesëmarrjen e kryetarit të Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiut Naim ef. Tërnava dhe të drejtorit të Institutit për Hulumtime dhe Studime Islame, prof. Sabri ef. Bajgora, sot, u mbajt mbledhje konstituive e Këshillit Drejtues të këtij Instituti.
Myftiu Tërnava në fjalën e tij, vlerësoi lart punën dhe angazhimin e Institutit për Hulumtime dhe Studime Islame në organizimin e konferencave, tryezave dhe seminareve të ndryshme, ku me këtë rast, falënderoi anëtarët e deritanishëm të këtij Instituti për punën dhe kontributin e tyre të dhënë. Ai u uroi suksese anëtarëve të rinj, duke u ofruar kështu përkrahjen e nevojshme të Kryesisë së BI-së për projektet e tyre.
Edhe drejtori i IHSI-së, prof. Sabri Bajgora, uroi anëtarët e rinj të Këshillit Drejtues, duke u uruar punë të mbarë dhe të suksesshme, e njëherësh kërkoi nga ta që të angazhohen maksimalisht për të dhënë kontribut në punët e këtij Instituti.
Këshilli Drejtues tanimë përbëhet nga: Sabri Bajgora, Besim Mehmeti, Orhan Bislimaj, Besir Neziri, Muharrem Tërnava, Rexhep Suma dhe Abdulkadër Arnauti.


