Nën organizimin e Institutit për Hulumtime dhe Studime Islame dhe në bashkëpunim me Këshillin e Bashkësisë Islame të Gjakovës, sot, në mënyrë solemne u bë përurimi i dorëshkrimit “Sahihu i Buhariut” – kopja e Juninit, i cili dorëshkrim qe ruajtur për kohë të gjatë në Xhaminë e Hadumit në Gjakovë.
Programi filloi me fjalën e mirëseardhjes nga kryetari i Këshillit të BI-së së Gjakovës, Valon ef. Myrta, i cili falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen, si dhe theksoi rëndësinë e ruajtjes dhe promovimit të trashëgimisë islame.
Në fjalën e tij para të pranishmëve, drejtori i Institutit për Hulumtime dhe Studime Islame, prof. Sabri ef. Bajgora, tha se kjo kopje e dorëshkrimit të cilën sot po e përurojmë ka një rëndësi të madhe për trashëgiminë tonë të begatë. Ai tha se sot ajo po kthehet aty ku edhe kishte vendin, pra në Xhaminë e Hadumit, nga edhe është marrë si dorëshkrim.
Drejtori Bajgora shprehu gatishmërinë dhe interesimin e tij dhe të institutit që ai drejton që edhe të tej të kontribuojnë në ndriçimin e trashëgimisë islame. Në fund të fjalës së tij, drejtori Bajgora, ftoi të gjithë ata që kanë vepra të vjetra në dorëshkrime që t’i sjellin ato tek Instituti, në mënyrë që të bëhet ruajtja dhe deshifrimi i tyre.
Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, në fjalën e tij, theksoi se dorëshkrimi që ne sot po e prezantojmë është një nga versionet më të besueshme të Sahihut të Buhariut.
“Ajo që e bën këtë dorëshkrim edhe më të veçantë dhe më të rëndësishëm nuk është vetëm vlera e tij tekstuale, por edhe fakti se është lexuar dhe kopjuar në një xhami të Kosovës, pra në Xhaminë e Hadum Agës në Gjakovë dhe është vakëfnuar për lexuesit dhe nxënësit brez pas brezi.”
Myftiu Tërnava theksoi rëndësinë e librave, duke rikujtuar faktin se gjatë luftës së fundit në Kosovë, një pjesë e konsiderueshme e dorëshkrimeve janë asgjësuar.
“Këto dorëshkrime, të cilat përfaqësojnë trashëgiminë kulturore islame te ne, datojnë nga gjysma e shekullit XIV. Megjithatë, gjatë periudhave të vështira historike, nëpër të cilat kaloi vendi ynë, e sidomos gjatë luftës së fundit në Kosovë 1998-1999, me djegien e arkivit dhe të bibliotekave të Bashkësisë Islam të Kosovës, një pjesë e konsiderueshme e këtyre dorëshkrimeve të çmuara janë djegur dhe shkatërruar nga forcat serbe.”
Pas pjesës hyrëse, sesioni shkencor vazhdoi me paraqitjen e kumtesave nga studiuesit: dr. Sulejman Osmani, Abdulkadër Arnauti dhe Muhamed Stublla, të cilët elabouran në detaje rëndësinë e këtij dorëshkrimi dhe vlerën e tij në historinë e shkencës së hadithit.
Promovimi i këtij dorëshkrimi u përmbyll me ceremoninë e dorëzimit të “Sahihut të Buhariut” – kopja e Juninit nga Myftiu Tërnava për Xhaminë e Hadumit. Pranimin e këtyre librave e bëri kryetari i Këshillit të BI-së së Gjakovës, Valon ef. Myrta.