Edit Content

Instituti për Hulumtime dhe Studime Islame

Themeluar me ….

IHSI pranoi vepra dhe dorëshkrime të vjetra të hafëzit Ajredin ef. Morina

Drejtori i Institutit për Hulumtime dhe Studime Islame, prof. Sabri ef. Bajgora, ka pranuar sot disa vepra dhe dorëshkrime të vjetra të hafëzit Ajredin ef. Morina, të cilat i dhuroi për Institutin e bija e hafëzit, Esma Morina.

Ajo që është e veçantë e këtyre librave dhe dorëshkrimeve është vepra “El Xhamiu es Sagir”, e Imam Sujutiut.

Prof. Sabri ef. Bajgora, falënderoi znj. Morina për dhurimin e këtyre librave, duke e cilësuar këtë si një hap shumë të rëndësishëm për mbledhjen dhe ruajtjen e trashëgimisë sonë të pasur.

Biografi e shkurtër e imamit Ajredin ef. Morina

Ajredin ef. Morina lindi më 22 dhjetor 1955 në Mamushë të Prizrenit. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, në Mamushë, ndërsa medresenë e mesme “Alauddin” e kreu në Prishtinë në vitin 1976.

Një vit vazhdoi studimet në Fakultetin e Filozofisë, drejtimi i orientalistikës. Me hapjen e Fakultetit të Studimeve Islame në Sarajevë në vitin 1977, u regjistrua në këtë fakultet dhe ishte student i parë nga Kosova që u regjistrua aty. U diplomua në Fakultetin e Studimeve Islame më 5 janar 1982. Në ndërkohë regjistroi me korrespondencë edhe Fakultetin e Filologjisë-dega e gjuhës dhe letërsisë turke në Prishtinë në vitin 1996/97 dhe se e përfundoi në vitin 2001 me sukses.

Si imam i rregullt filloi punën në Prizren në vitin 1981 në xhaminë e Sinan Qatibit (Levishës), pas së cilës kaloi në detyrën e imamit në xhaminë e Terxhuman Iskenderit (Dragoman) gjer në fund të jetës së tij. Gjatë gjithë kohës sa ishte imam, rregullisht ka mbajtur mësim-besimin për fëmijë. Ka qenë i rregullt në punë dhe i disiplinuar në vaktet e namazeve.

Krahas punës si imam, ka qenë edhe profesor me korrespodencë i lëndës së gjuhës turke në Medresenë e Prizrenit, që nga hapja e tij, e gjer në vitin 2001. Gjatë një mandati ka qenë edhe anëtar i Këshillit të Bashkësisë Islame në Prizren.

Me caktimin e Zotit dha shpirt më 13 shtator 2011 (ditë e marte) në shtëpinë e tij në Prizren.

E lusim Allahun e Madhëruar që hoxhën dhe imamin tonë të nderuar Ajredin ef. Morina ta shpërblejë me xhenetin Firdevs! Amin!