Institutit të Hulumtimeve dhe Studimeve Islame, përkatësisht bibliotekës së tij, sot, i janë shtuar edhe librat e hoxhës Mehmet ef. Dërmaku, të cilat i dhuroi djali i tij, imami i xhamisë në Shipashnicë të Epërme, njëherësh kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame të Kamenicës, Ferid ef. Dërmaku.
Librat janë të fushave të ndryshme, kryesisht tefsir dhe hadith, por spikasin një dorëshkrim i vjetër i Kuranit dhe dy libra me dua (lutje) të përdorura nga hoxhallarët e asaj kohe.
Drejtori i Institutit, prof. Sabri ef. Bajgora, falënderoi imamin Dërmaku për librat e dhuruara, duke përcjellë kështu edhe mesazhin për të gjithë ata që posedojnë libra të tillë dhe dorëshkrme, që t’i sjellin tek Instituti për Hulumtime dhe Studime Islame.
Mehemet ef. Dërmaku lindi në vitin 1927 dhe që nga viti 1951 deri më 1991, ka shërbyer si imam në fshatin Shipashnicë të Epërme. Ai për një mandat ka qenë edhe kryetar i Shoqatës së Ulemave në Kamenicë. Ka ndërruar jetë në vitin 2002.