Drejtori i Institutit për Hulumtime dhe Studime Islame (IHSI), Prof. Sabri Bajgora, anëtari i Këshillit Drejtues të Institutit, Prof. Ass. Dr. Rexhep Suma, dhe bashkëpunëtori shkencor, Dr. Besir Neziri, morën pjesë në Simpoziumin III Ndërkombëtar të Ballkanit, me temë “Shkenca dhe Arti në Ballkan gjatë Periudhës Osmane”, i cili po mbahet nga 14 deri më 17 tetor 2026, në Universitetin Tekirdağ Namık Kemal, në Turqi.
Në kuadër të këtij simpoziumi, Prof. Sabri Bajgora prezantoi kumtesën **“Medreseja e Sulltan Selimit III në Prishtinë dhe formimi i ulemave shqiptarë: Rasti i myderrizit Haxhi Iljas ef. Shahsivari”, Prof. Ass. Dr. Rexhep Suma paraqiti kumtesën “Medreseja si qendër e dijes dhe e formimit intelektual në Ballkan gjatë periudhës osmane”, ndërsa Dr. Besir Neziri prezantoi kumtesën “Roli i shqiptarëve në themelimin e vakëfeve arsimore gjatë periudhës osmane: Një studim mbi medresetë dhe mektepet në Kosovë”.
Pjesëmarrja në këtë simpozium dëshmon përkushtimin e IHSI-së ndaj hulumtimit shkencor, ndriçimit të historisë së institucioneve arsimore islame dhe promovimit të trashëgimisë historike e kulturore shqiptare në arenën ndërkombëtare.



