Edit Content

Instituti për Hulumtime dhe Studime Islame

Themeluar me ….

Librat dhe dorëshkrimet e hoxhallarëve nga Malisheva

Instituti për Hulumtime dhe Studime Islame, në vazhdën e aktivitetit të tij për mbledhjen dhe tubimin e librave dhe dorëshkrimeve të vjetra të hoxhallarëve tanë, këto ditë ka pranuar dorëshkrimet dhe librat e hoxhallarëve, mulla Maliq Sylejman Morinës, mulla Azem Sinan Hotit dhe mulla Haxhi Rifat Gashit nga Malisheva.

Këta libra i solli imami Behar ef. Gashi nga Malisheva, i shoqëruar nga imami Besmir Foniqi. Imamët e nderuar në takim i priti anëtari i Këshillit Drejtues të IHSI-së, dr. Besir Neziri. Ai në emër të drejtorit të Institutit, prof. Sabri Bajgora, falënderoi imamin Gashi për kujdesin dhe sjelljen e këtyre librave në Institut, duke porositur kështu edhe imamët e tjerë që t’i sjellin librat dhe dorëshkrimet e vjetra tek Instituti, në mënyrë që të ruhet dhe të ndriçohet e kaluara e hoxhallarëve tanë të nderuar.

Biografi e shkurtër e imamëve, librat e të cilëve u dhuruan për bibliotekën e IHSI-së.

Mulla Maliq Sylejman Morina, lindi në vitin 1903. Ai ka qenë njëri ndër hoxhallarët më të spikatur dhe njëri prej kontribudhënësve më të mëdhenj si në fushën edukative, ashtu edhe në atë patriotike. Ai ishte imam dhe kryeimam i Anadrinisë. Vdiq në vitin 1948.

Mulla Azem Sinan Hoti, lindi më 1919. Regjimi i atëhershëm titisto-ateist, nuk e lejoi asnjëherë që ta ushtronte detyrën e imamit. Ai ka qenë bashkëthemelues i Ballit Kombëtar, teksa familja e tij vazhdimisht kanë qenë të persekutuar. Për 12 vjet me radhë ishte i angazhuar në edukimin e masës, duke e bërë atë një hoxhë dhe një patriot të vyer. Vdiq në vitin 1974.

Mulla Haxhi Rifat Gashi, lindi më 1923. Shërbeu si imam përafërsisht për 10 vjet, derisa u burgos në vitin 1950 për shkak të lidhjeve me Berisht. Ai ka qenë një hoxhë orator dhe organizator i madh. Prejardhja e tij familjare, me një traditë hoxhallarësh, pa dyshim se e bëri këtë të jetë halë në sytë e armikut. Vdiq në vitin 1977.

Të fundit